KIEV – Zelensky kërkon më shumë raketa “Patriot” nga SHBA-ja për të mbrojtur Ukrainën

KIEV, 28 maj /ATSH/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky deklaroi sot se po ushtron presion të vazhdueshëm ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për furnizimin e Ukrainës me më shumë raketa të sistemit “Patriot”, për të përballuar sulmet balistike ruse, raportoi AP.
Zelensky tha se ende nuk ka marrë përgjigje ndaj letrës që i dërgoi presidentit amerikan Donald Trump dhe Kongresit, ku kërkonte shtimin e ndihmës ushtarake.
Ai paralajmëroi se furnizimet për Ukrainën po reduktohen ndjeshëm, ndërsa lufta me Iranin po konsumon rezervat amerikane të armëve.
Presidenti ukrainas theksoi se vendi i tij, ka nevojë për më shumë armatime të avancuara, që nuk mund t’i prodhojë vetë, ndërsa në këmbim Ukraina do të ofrojë eksperiencën e saj në teknologjinë e dronëve, të fituar gjatë luftës me Rusinë.
Gjatë vizitës në Suedi, Zelensky njoftoi gjithashtu se Ukraina planifikon të blejë 20 avionë luftarakë “Gripen” nga Suedia, në një marrëveshje me vlerë 2,5 miliardë euro.
Suedia pritet gjithashtu të dhurojë 16 avionë të tjerë “Gripen” të gjeneratës së mëparshme.
Sipas Zelensky, avionët do të ndihmojnë në zmbrapsjen e sulmeve ajrore ruse, veçanërisht sulmeve me bomba të drejtuara.
Ndërkohë, analistët vlerësojnë se përdorimi masiv i dronëve ukrainas, po kufizon aftësinë e ushtrisë ruse, për të furnizuar dhe përforcuar trupat në vijën e frontit.
Rusia, aktualisht kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, e aneksuar në vitin 2014.
Sipas shefit të shërbimit britanik të inteligjencës GCHQ, numri i ushtarëve rusë të vrarë në konflikt ka arritur afërsisht në 500 000. //a.i/