FOKUS – SHBA-ja dhe Irani arrijnë marrëveshje, por nevojitet miratimi përfundimtar i Trump

UASHINGTON, 28 maj /ATSH/- Negociatorët amerikanë dhe iranianë kanë arritur një marrëveshje paraprake, për një memorandum mirëkuptimi 60-ditor, që synon zgjatjen e armëpushimit dhe nisjen e negociatave për programin bërthamor të Iranit, raportoi “Axios”, duke cituar dy zyrtarë amerikanë dhe një burim rajonal të përfshirë në ndërmjetësim.
Megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump nuk ka dhënë ende miratimin përfundimtar, ndërsa edhe Teherani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht pranimin e marrëveshjes.
Sipas zyrtarëve amerikanë, memorandumi do të shërbejë si bazë për nisjen e negociatave direkte mes palëve dhe konsiderohet një nga zhvillimet më të rëndësishme diplomatike, që prej nisjes së konfliktit.
Marrëveshja parashikon që lundrimi tregtar në Ngushticën e Hormuzit të mbetet i papenguar, ndërsa Irani do të duhet të heqë minat detare nga zona brenda 30 ditësh.
Po ashtu, SHBA-ja pritet të lehtësojë gradualisht bllokadën detare, në varësi të rikthimit të transportit tregtar.
Memorandumi përfshin edhe një angazhim të Iranit për të mos ndërtuar armë bërthamore.
Gjatë periudhës 60-ditore, negociatat do të fokusohen fillimisht, te menaxhimi i uraniumit të pasuruar të Iranit dhe çështja e pasurimit bërthamor.
Nga ana tjetër, SHBA-ja do të diskutojë lehtësimin e sanksioneve dhe lirimin e fondeve iraniane të ngrira, si pjesë e negociatave më të gjera.
Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se, nëse Irani nuk tregon gatishmëri reale për kompromis në çështjen bërthamore, administrata Trump do të mbajë “të gjitha opsionet në tavolinë”, përfshirë masat ekonomike dhe ushtarake. //a.i/