E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Berlini bën thirrje për një skemë të shpërndarjes së refugjatëve ukrainas në mbarë BE-në

BERLIN, 25 maj /ATSH-DPA/ – Ministria e Brendshme gjermane po bën thirrje për një skemë të shpërndarjes së refugjatëve të rinj nga Ukraina në mbarë BE-në.

“Gjermania është fuqishëm në favor të solidaritetit në shpërndarjen e atyre që kërkojnë mbrojtje dhe është e mendimit se është e nevojshme të diskutohet dhe të gjendet një zgjidhje në lidhje me migrimin dytësor nga vendet e tjera anëtare të BE”, tha një zëdhënës i ministres së Brendshme Nancy Faeser.

“Prandaj, duhet të kërkohet një regjim uniform i shpërndarjes për të ardhurit e rinj nga Ukraina në të gjithë BE-në”, tha ai.

Negociatat janë duke u zhvilluar në nivel të BE-së për një rregullore pasuese për refugjatët ukrainas.

Afati i mbrojtjes së përkohshme sipas të ashtuquajturës direktivë të fluksit masiv përfundon më 4 mars 2025.

Mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë ndryshim në procedurën aktuale, si për shembull një regjim i ri shpërndarjeje.

Sipas Ministrisë Federale të Brendshme, është e rëndësishme që të vazhdojë dialogu me Ukrainën për të gjitha çështjet e rëndësishme.

Deri më tani, ukrainasit kanë qenë në gjendje të zgjedhin lirisht vendin e destinacionit të tyre në BE dhe gjithashtu mund të udhëtojnë më tej.

Gjermania ka pranuar më shumë se 1 milion njerëz nga Ukraina.

“Përveç çështjeve të perspektivave afatgjata për refugjatët të cilëve tashmë u është dhënë mbrojtje, është e rëndësishme që Gjermania të sigurojë një qasje të përbashkët brenda BE-së, veçanërisht shpërndarjen e bazuar në solidaritet dhe parandalimin e migrimit dytësor për refugjatët që vijnë në të ardhmen”, tha zëdhënësi i ministrisë.

“Zbatimi i nenit 11 mund të kontribuojë në këtë”, shtoi ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›