FOKUS – Biden: G20-a të rrisë presionin ndaj Hamasit

RIO DE ZHANEIRO, 18 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti i SHBA-së, Joe Biden u bëri thirrje udhëheqësve të G20-s që të rrisin presionin ndaj Hamasit për një armëpushim të mundshëm me Izraelin, pasi ai u zotua të vazhdojë të shtyjë për një marrëveshje në javët e tij të fundit përpara se Donald Trump të kthehet në pushtet në Shtëpinë e Bardhë.
“Unë kërkoj nga të gjithë këtu që të rrisin presionin ndaj Hamasit, i cili aktualisht e refuzon këtë marrëveshje”, theksoi Biden në fjalimin e tij të hapjes në samitin e G20-s në Rio de Zhaneiro.
Presidenti në largim rinovoi gjithashtu thirrjet e tij për Izraelin që të kufizojë viktimat civile në luftën e tij në Gaza, nisur pas sulmeve të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
“Izraeli ka të drejtë të mbrohet pas masakrës më të keqe kundër hebrenjve që nga Holokausti. Por, mënyra se si mbrohet… është shumë e rëndësishme”, tha Biden, i cili po merr pjesë në takimin e tij të fundit të G20-s.
“Ne do të vazhdojmë të shtyjmë për të përshpejtuar një marrëveshje armëpushimi që garanton sigurinë e Izraelit, sjell pengjet në shtëpi dhe u jep fund vuajtjeve të popullit dhe fëmijëve palestinezë”, shtoi ai.
Biden e ka mbështetur me vendosmëri Izraelin ndërsa këshillon përmbajtje për më shumë se një vit, por mbetet për t’u parë se si do të duket politika e SHBA pasi Trump të marrë detyrën, më 20 janar.
Trump ka zgjedhur zyrtarë pro izraelitë për kabinetin e tij dhe nuk është përpjekur kurrë për një shtet të pavarur palestinez, megjithatë dëshira e tij për marrëveshje historike e bën atë të paparashikueshëm./ /os/