E Enjte, 5 Nëntor 2026

BRUKSEL – Aleatët e NATO-s miratojnë misionin e trajnimit dhe mbështetjes për Ukrainën

BRUKSEL, 13 qershor /ATSH-DPA/- Vendet e NATO-s miratuan sot planin për misionin e ndihmës së sigurisë dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas, thanë burimet e aleancës.

Misioni, i quajtur “Ndihma dhe Trajnimi për Sigurinë për Ukrainën” (NSATU), do të ofrojë për herë të parë ndihma ushtarake për Ukrainën nga strukturat zyrtare të NATO-s.

Deri më tani, vendet e NATO-s kanë koordinuar këtë ndihmë përmes një grupi jozyrtar të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të quajtur Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës (UDCG).

Kalimi i përgjegjësisë është një element i një propozimi më të gjerë – ende në diskutim – që aleatët e NATO-s të angazhohen për një ndihmë afatgjatë për të mbështetur Ukrainën.

Ky propozim do të diskutohet më tej në një samit të liderëve të NATO-s në Uashington në korrik.

Marrëveshja e sotme nuk përfshin ndonjë angazhim specifik financiar, por përcakton se ndihma e përbashkët do të koordinohet nga NATO.

Në një takim të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë muajin e kaluar, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u bëri thirrje anëtarëve te angazhoheshin për një zotim financiar shumëvjeçar për Ukrainën me vlerë 40 miliardë euro (43 miliardë dollarë) në vit.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të takohen sot dhe nesër në Bruksel për të diskutuar mbështetjen e tyre për Ukrainën. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›