FOKUS – Çmimet e naftës rriten pas përshkallëzimit të tensioneve në Iran

PARIS, 23 prill /ATSH-AFP/DPA/ – Rritja e çmimeve të naftës u përshpejtua sot, duke reflektuar shqetësimin e tregjeve për situatën në Lindjen e Mesme, pas shpërthimeve të reja në Teheran dhe mungesës së perspektivës për rifillimin e bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Rreth orës 17:55 GMT, një fuçi naftë Brent nga Deti i Veriut, standardi ndërkombëtar i referencës, u rrit me 5,16%, duke arritur në 107,17 dollarë.
Ndërkohë, nafta amerikane WTI u rrit me 5,63%, në 98,19 dollarë për fuçi.
Shpërthime u dëgjuan sonte në Teheran, ku sistemi i mbrojtjes kundërajrore është aktivizuar, raportuan mediat iraniane.
Kjo është hera e parë që ndodhin incidente të tilla që nga hyrja në fuqi e armëpushimit me Shtetet e Bashkuara më 8 prill.
Sipas agjencisë zyrtare iraniane të lajmeve, IRNA, ”janë dëgjuar të shtëna të mbrojtjes kundërajrore” në pjesën perëndimore të qytetit.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Mehr raportoi se sistemi është aktivizuar kundër ”objektivave armiqësore”
Nuk ka ende konfirmim zyrtar për natyrën e objektivave apo për dëme të mundshme. /Ad.Ab./ a.jor.