FOKUS – Dronët rusë sfidojnë Evropën: NATO-s do t’i duhet të mbrojë vetë territorin e saj

BRUKSEL, 12 shator /ATSH / – Që nga urdhri i presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës në 2022, NATO ka synuar kryesisht të frenojë çdo sulm ndaj territorit të saj dhe të shmangë një luftë të plotë me Rusinë, vend me arsenal bërthamor. Por ekspertët dhe liderët paralajmërojnë se ka ardhur koha që aleanca të mbrojë veten, dhe Evropës mund t’i duhet ta bëjë këtë edhe vetëm, sipas AP.
Rusia ka sulmuar Ukrainën dhe njëkohësisht ka provokuar pasuesit e saj europianë; avionë dhe anije kanë shkelur hapësirën ajrore dhe ujërat e NATO-s, rrjetet e transportit dhe komunikimit janë sabotuar, kundërshtarë të Putinit janë helmuar në Evropë, dhe fushata dezinformimi synojnë të dobësojnë unitetin e aleancës.
Incidenti i fundit, fluturimi i disa dronëve rusë mbi Poloni këtë javë, tregon një përshkallëzim të qartë.
NATO reagoi me forcë të madhe, dronët u rrëzuan me teknologji ushtarake të avancuar dhe u angazhuan avionë F-35. Një operacion me kosto të lartë.
Rusia pretendoi se nuk kishte synuar Poloninë, ndërsa Bjellorusia sugjeroi se dronët mund të kishin devijuar për shkak të ndërhyrjeve elektronike.
Franca, Holanda dhe Britania e Madhe po dërgojnë pajisje shtesë për të ndihmuar Poloninë në mbrojtjen e kufijve, veçanërisht pranë Bjellorusisë, ku Rusia filloi sot manovra ushtarake. Krahina lindore e NATO-s do të forcohet me mbrojtje ajrore shtesë.
Ekspertët theksojnë se Evropa vepron përkohësisht e vetme.
“Nuk është e qartë se çfarë do të bëjë më shumë SHBA-ja për të forcuar mbrojtjen ajrore të NATO-s. Deri tani, kemi parë europianët të operojnë platforma amerikane pa një rol të drejtpërdrejtë të trupave amerikane”, tha Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO-s dhe tani eksperte në qendrën kërkimore shkenor “RUSI” .
Administrata e presidentit Trump ka insistuar se Evropa duhet të kujdeset vetë për sigurinë e saj dhe të Ukrainës.
Incidenti i dronëve ka nxitur kritika dhe premtime veprimi nga liderët europianë. Presidenti Trump tha se incidenti “mund të ketë qenë një gabim,” ndërsa kryeministri polak Donald Tusk e hodhi poshtë këtë shpjegim duke thënë se “do të dëshironim që sulmi të ishte gabim. Por nuk ishte. Dhe e dimë.”
Për Putinin, incidenti është një mundësi për të testuar vendosmërinë e NATO-s. Duke provokuar aleatët që të dërgojnë mbrojtje ajrore në Poloni, ai synon t’i detyrojë ata të zgjedhin mes mbrojtjes së NATO-s dhe mbrojtjes së Ukrainës, një zgjedhje që për Putin është lehtësisht e favorizueshme, pasi do t’i mundësonte të shkatërronte infrastrukturën energjetike të Ukrainës dhe të shkaktonte vuajtje për popullsinë.
Për Evropën, sfida është e madhe; të mbrosh të gjithë njëkohësisht kërkon integrim të sistemeve ajrore me Ukrainën. Një mundësi është që Polonia të lejojë Ukrainën të rrëzojë raketat ruse që shkojnë drejt territorit të saj. Koha punon për Rusinë:, armët amerikane që do të dërgohen duhen prodhuar, proces që mund të zgjasë muaj ose vite.
Incidenti i dronëve erdhi pak para stërvitjes së përbashkët ruso-bjelloruse, “Zapad 2025”, që mund të lidhet me këtë provokim.
Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se manovrat ushtarake shërbejnë për të treguar se Putin mund të sulmojë Ukrainën dhe të ushtrojë presion ndaj NATO-s njëkohësisht.
Pak ekspertë parashikojnë aktivizimin e Nenit 5 të traktatit themelues të NATO-s për këtë incident. Për tani, prioriteti mbetet forcimi i mbrojtjes në krahun lindor të aleancës, ndërsa tensionet me Rusinë vazhdojnë të rriten. /Ad.Ab./