E Hënë, 2 Nëntor 2026

ROMË – Tajani: Italia e gatshme të shqyrtojë propozimet e BE-së për sanksione kundër Izraelit

ROMË, 12 shtator /ATSH-ANSA/- Italia është gati të shqyrtojë sanksionet ndaj Izraelit – të propozuara nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani.

“Ne jemi gati të vlerësojmë propozimet shtesë për sanksione të reja, të njoftuara nga presidentja e Komisionit von der Leyen, gjatë fjalimit të saj dje në Strasburg, sapo ato të paraqiten në Këshill”, tha Tajani në Senat.

“Në takimin e Ministrave të Jashtëm të BE-së në Kopenhagë, javën e kaluar, së bashku me Gjermaninë propozuam vendosjen e sanksioneve të reja të ashpra ndaj kolonëve të dhunshëm izraelitë”, shtoi ai.

“Ne jemi të gatshëm të shtrëngojmë masat kufizuese kundër atyre që sulmojnë fshatrat palestineze, duke shkuar deri aty sa të godasin komunitetet e krishtera”, tha Tajani.

“Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës është gjithnjë e më e papranueshme. Vazhdon të përfaqësojë një plagë të hapur për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare”, tha ai.

“Ne e kemi përsëritur këtë në të gjitha forumet dhe dua ta përsëris edhe në këtë Dhomë, ne jemi fuqimisht kundër planit izraelit për të pushtuar Qytetin e Gazës dhe çdo ideje për transferimin me forcë të palestinezëve nga Rripi”, tha Tajani.

Megjithatë, ai shtoi se Roma nuk ishte gati të njihte shtetin e Palestinës.

“Le të punojmë konkretisht, në mënyrë operative, për lindjen e një shteti të vërtetë palestinez, duke krijuar kështu kushtet për zgjidhjen me dy shtete”, tha ai. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›