E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – Evropa shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore

PARIS, 8 maj /ATSH/- Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen ceremoni solemne në memorialet e luftës, në qytete dhe fshatra anembanë Francës, ndërsa vendi nderon të ndjerët e tij dhe shënon 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, sipas “The Guardian”.

Në Paris, presidenti, Emmanuel Macron do të vendosë një kurorë në këmbët e statujës së Charles de Gaulle, do të ngjitet në Champs-Elysees deri te Harku i Triumfit, do të ndezë flakën e përjetshme në varrin e Luftëtarit të Panjohur, në kuadër të festës zyrtare të vendit, siç ndodh çdo vit.

Do të mbahet një minutë heshtje, dhe një fjalim nga presidenti Macron mbi vlerat që triumfuan në vitin 1945 – dhe një paradë e personelit të forcave të armatosura franceze.

Por, Franca është një nga vendet e pakta evropiane që shënon Ditën e Fitores në Evropë me një ceremoni të tillë. Disa vende e përkujtojnë atë në mënyrë më modeste, pa një festë zyrtare.

“80-vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – më 8 maj 1945 – nënkupton, më shumë se kurrë, një përgjegjësi të dyfishtë. Për dëshmitarët e fundit mbijetues të luftës dhe për brezin e ri””, tha Ministria franceze e Mbrojtjes, në një deklaratë këtë javë.

“Në vitin 2025, është më thelbësore se kurrë më parë që përkujtimet e Ditës së Fitores në Evropë të nderojnë sakrificat e atyre që luftuan dhe vuajtën”, tha ministria.

Në të gjithë kryeqytetin, i cili ka ruajtur një peizazh kujtimesh të luftës dhe Holokaustit, janë planifikuar një sërë përkujtimesh, ekspozitash, rrëfimesh dëshmitarësh, shfaqjesh teatrale, diskutimesh publike, shfaqje filmash, koncertesh dhe turesh me guidë.

Kancelari i sapozgjedhur i Gjermanisë, Friedrich Merz, do të marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore – në një kishë të Berlinit të dëmtuar nga lufta. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›