BRUKSEL – BE i ofron Ukrainës një miliard euro ndihmë ekonomike

BRUKSEL, 8 maj /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian shpërndau sot një miliard euro (1,1 miliard dollarë) në mbështetje të Ukrainës, si pjesë e një programi të madh të ndihmës ekonomike.
“Simbolikisht, shpërndarja përkon me Ditën e Përkujtimit dhe Fitores së Ukrainës ndaj Nazizmit në Luftën e Dytë Botërore”, shkroi Komisioni Evropian në një njoftim për shtyp.
Paratë janë pjesë e kredive me vlerë 45 miliardë euro të ofruara nga G7 dhe Bashkimi Evropian.
Bashkë me ndihmën e shpallur sot, BE-ja ka shpërndarë që nga fillimi i vitit 6 miliardë euro.
Blloku është zotuar t’i ofrojë Ukrainës në total 18,1 miliardë euro, sipas programit.
Kreditë do të shlyhen me të ardhurat nga asetet e ngrira ruse në BE.
“Rusia do të paguajë për shkatërrimin që i ka shkaktuar Ukrainës”, tha nënkryetari i Komisionit Evropian, Valdis Dombrovskis.
“BE vazhdon të mbështesë Ukrainën – politikisht, financiarisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht”, shtoi ai.
Që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022 – BE-ja dhe 27 vendet anëtare të saj – i kanë ofruar Ukrainës pothuajse 150 miliardë euro si ndihmë ekonomike, humanitare dhe ushtarake. //a.i/