E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Gjermania kërkon të prodhojë më shumë armë amerikane

BERLIN, 1 korrik /ATSH – AFP/ Gjermania synon të zgjerojë bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në industrinë e mbrojtjes, duke prodhuar më shumë sisteme armësh amerikane në fabrikat e saj.

Këtë e bëri të ditur ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një konference për shtyp në Berlin.

Deklarata u bë pak ditë përpara samitit të NATO-s që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Turqi, ku një nga temat kryesore do të jetë forcimi i kapaciteteve ushtarake evropiane.

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar vazhdimisht që aleatët evropianë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.

“Ne e dimë se kapacitetet prodhuese amerikane janë të kufizuara dhe ekziston një nevojë urgjente për t’i zgjeruar ato. Për këtë arsye jemi shumë të interesuar që disa sisteme armësh, ose pjesë të tyre, të prodhohen këtu në Gjermani”, tha Pistorius, në praninë e kancelarit Friedrich Merz dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Kërkesa për armët amerikane, veçanërisht për raketat dhe sistemet e mbrojtjes ajrore si “Patriot”, është rritur ndjeshëm për shkak të luftës në Ukrainë dhe krizave në Lindjen e Mesme.

Si pasojë, rezervat e këtyre armëve janë reduktuar.

Nga ana tjetër, Gjermania dhe vendet e tjera evropiane të NATO-s po përpiqen të zhvillojnë industrinë e tyre të mbrojtjes dhe të ulin varësinë nga pajisjet ushtarake të prodhuara në SHBA.

Ky orientim është nxitur edhe nga deklaratat e Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje angazhimin amerikan për sigurinë e Evropës.

Megjithatë, Pistorius theksoi se synimi për më shumë pavarësi nuk do të thotë heqje dorë nga teknologjia amerikane. Sipas tij, ekzistojnë sisteme armësh që Evropa nuk i prodhon dhe për të cilat do të ketë nevojë urgjente gjatë pesë deri në dhjetë viteve të ardhshme.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, përshëndeti përpjekjet e Gjermanisë për të forcuar ushtrinë dhe industrinë e saj të mbrojtjes.

Ai tha se samiti i ardhshëm i NATO-s do të përqendrohet në shndërrimin e rritjes së shpenzimeve ushtarake në kapacitete reale luftarake dhe në zgjerimin e ndjeshëm të industrisë së mbrojtjes.

Rutte shtoi se, edhe nëse lufta në Ukrainë përfundon, Rusia do të vazhdojë të përbëjë një kërcënim afatgjatë për sigurinë euro-atlantike. /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›