E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

FOKUS – ”Greenpeace”: NATO ka ende epërsi ushtarake ndaj Rusisë

HAMBURG, 11 nëntor /ATSH-DPA/ – Aleanca e mbrojtjes e NATO-s vazhdon të ketë një avantazh ushtarak ndaj Rusisë, pavarësisht nga një riarmatim, sipas një studimi të porositur nga ”Greenpeace” dhe i botuar sot.

”Një analizë e aftësive ushtarake të aleancës perëndimore dhe Rusisë nuk lë asnjë dyshim për epërsinë e përgjithshme ushtarake të NATO-s. Vetëm në aspektin e armëve bërthamore të dyja palët kanë barazi”, përfunduan Herbert Wulf dhe Christopher Steinmetz, autorë të studimit.

Për studimin, Wulf dhe Steinmetz krahasuan potencialin ushtarak të NATO-s dhe Rusisë në bazë të gjashtë parametrave qendrorë duke përfshirë shpenzimet ushtarake.

Ata zbuluan se vendet e NATO-s së bashku shpenzojnë aktualisht 10 herë më shumë për forcat e tyre të armatosura sesa Rusia (1,19 trilion dollarë kundrejt 127 miliardë dollarëve).

Edhe duke hequr shpenzimet e SHBA-së dhe duke marrë parasysh dallimet në fuqinë blerëse, NATO ka ende një avantazh të rëndësishëm (430 miliardë dollarë kundrejt 300 miliardë dollarëve).

NATO ka gjithashtu një avantazh të rëndësishëm kur bëhet fjalë për sistemet kryesore të armëve, me anëtarët e aleancës së mbrojtjes që numërojnë 5 406 avionë luftarakë të kombinuar (përfshirë 2 073 në Evropë) krahasuar me 1 026 të Rusisë.

”Vetëm kur bëhet fjalë për bombarduesit strategjikë, Rusia pothuajse arrin barazinë me Shtetet e Bashkuara (129 me 140)”, thotë studimi.

Rusia ka mbetur prapa NATO-s në shumë fusha të armatimit dhe nuk ka gjasa që ajo të jetë në gjendje të arrijë në më pak se një dekadë, thonë autorët, duke shtuar se aleanca e mbrojtjes ka gjithashtu një numër më të madh ushtarësh nën armë dhe rezervistësh./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›