E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i fizioterapisë në SUT, Spahiu: Zëri i pacientit, dëshmia më e mirë e kujdesit shëndetësor

TIRANË, 12 tetor /ATSH/ Shërbimi i Fizioterapisë në Spitalin Universitar të Traumës mbështet procesin e rikuperimit të pacientëve pas traumave, por edhe të atyre që vuajnë nga patologji kronike, përmes trajtimit të individualizuar dhe përdorimit të teknikave bashkëkohore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu ndau në rrjetet sociale dëshminë e një pacienteje, e cila vlerëson përkushtimin e stafit mjekësor dhe fizioterapistëve gjatë procesit të rehabilitimit.

Pacientja, e cila prej tri javësh po merr shërbim fizioterapie, shprehet e kënaqur me kujdesin e marrë dhe përmirësimin e gjendjes së saj.

“Doktoreshë Irisi Myftiu na mori kartelën, pa ato, dha udhëzimet se çfarë duhet t’i bëj dorës. Një shërbim të përsosur. Me fizioterapinë që më ka bërë, jam 100% më mirë dhe jam shumë e kënaqur”, shprehet ajo.

Shërbimi i Fizioterapisë në Spitalin Universitar të Traumës u përgjigjet nevojave të ndryshme të pacientëve, duke u dhënë përparësi rasteve pas traumave. Kujdesi shtrihet edhe te pacientët me patologji kronike, si dhe te personat e shtruar në reanimacion, me synim parandalimin e komplikacioneve të mundshme.

Në këtë shërbim janë angazhuar 16 fizioterapistë dhe 4 mjekë, të cilët punojnë me metoda dhe teknika bashkëkohore të trajtimit. Stafi vijon të përditësojë njohuritë profesionale për të përmirësuar cilësinë e kujdesit dhe rezultatet e rehabilitimit.

Fizioterapia luan një rol të rëndësishëm në rikthimin e lëvizshmërisë, funksionalitetit dhe pavarësisë së pacientëve, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës pas dëmtimeve apo sëmundjeve.

/e.i/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›