FOKUS – Greqia drejt ndalimit të skuterëve elektrikë për të miturit dhe motorëve me katër rrota në të gjithë ishujt

ATHINË, 17 maj /ATSH-ANA/ – Përdorimi i skuterëve elektrikë nga të miturit dhe rregullat e rrepta për përdorimin e tyre nga të rriturit ishin një nga çështjet kryesore që ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Michalis Chryssochoidis përmendi në një intervistë në ErtNews TV, ndërsa tha gjithashtu se do të donte të ndalonte edhe motorët me katër rrota (ATV) në ishujt grekë.
Në programin ‘Savvatokyriako apo tis 5’, Chryssochoidis tha se ishte i shqetësuar për sigurinë rrugore në ishuj gjatë sezonit të verës, pasi automjete të tilla përfshiheshin në aksidente të rënda.
Për skuterët, ai përmendi ndër të tjera vendosjen e frenave në automjete për shpejtësi, rregulla që ndalojnë qarkullimin e tyre në autostrada dhe rrugë me shpejtësi të lartë, sigurimin e detyrueshëm, sinjalistikën speciale dhe certifikatat e sigurisë për automjetet.
”Në të njëjtën kohë”, tha ai, ”bashkive do t’u kërkohet të përcaktojnë numrin maksimal të skuterëve për zonë të lejuar, në mënyrë që të ndalohet përhapja e tyre e pakontrolluar”.
Për motorët me katër rrota në ishuj, ai tha se duhet të përdoret gjithmonë një helmetë dhe duhet të përfshihet në qira.
Ministri nënvizoi se automjetet me katër rrota duhet të ndalohen tërësisht për shkak të aksidenteve fatale që janë regjistruar, veçanërisht midis turistëve.
Siç shtoi ai, ”policia greke do të intensifikojë inspektimet gjatë verës, me ndihmën e policisë rrugore, e cila do të transferohet përkohësisht nga Athina në ishuj”./ a.jor.