E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – IAEA: Koreja e Veriut po rrit ndjeshëm kapacitetin e armëve bërthamore

VJENË, 15 prill /ATSH-AA/ – Koreja e Veriut po rrit kapacitetin e saj për prodhimin e armëve bërthamore, tha sot në Seul shefi i organit mbikëqyrës të aktiviteteve bërthamore të OKB-së.

“Në vlerësimet tona periodike, kemi qenë në gjendje të konfirmojmë se ka një rritje të shpejtë të operacioneve” në reaktorin Yongbyon, tha për gazetarët në Seul Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA)

“Të gjitha këto tregojnë për një rritje shumë serioze të kapaciteteve të Republikës Popullore Demokratike të Koresë në fushën e prodhimit të armëve bërthamore, që vlerësohet në disa dhjetëra koka bërthamore”, tha Grossi, duke përdorur emrin zyrtar të Koresë së Veriut.

Qendra Kërkimore Shkencore Bërthamore Yongbyon po operon reaktorët e parë bërthamorë të vendit dhe ndodhet në qarkun Nyongbyon, në provincën Pyongani Verior, rreth 100 kilometra në veri të kryeqytetit Phenian.

Koreja e Veriut kreu testin e saj të parë bërthamor në vitin 2006 dhe ka qenë një nga vendet më të sanksionuara në botë.

Pheniani ka deklaruar se “statusi i tij bërthamor” është i pakthyeshëm dhe ka ndërprerë aksesin për zyrtarët e IAEA-s që nga viti 2009.

Sipas vlerësimeve të Instituti Ndërkombëtar i Stokholmit për Kërkime mbi Paqen, Koreja e Veriut aktualisht ka rreth 50 koka bërthamore.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›