FOKUS – Izraeli fillon sulme tokësore të kufizuara kundër Hezbollahut në Liban

TEL AVIV/BEJRUT, 1 tetor /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite njoftoi sot se kishte filluar një operacion “të kufizuar dhe të lokalizuar” kundër objektivave të Hezbollahut në Libanin jugor.
”Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) filluan sulmet tokësore të synuara bazuar në informacionet e sakta të shërbimeve sekrete”, tha ushtria në një postim në platformën e medieve sociale X.
“Këto objektiva janë të vendosura në fshatra afër kufirit dhe përbëjnë një kërcënim të menjëhershëm për komunitetet izraelite në Izraelin verior”, shtoi ajo.
”Ushtria po vepronte sipas një plani metodik, për të cilin ishte trajnuar dhe përgatitur muajt e fundit”, tha IDF.
”IDF dhe forcat ajrore po mbështesnin forcat tokësore me sulme të sakta ndaj objektivave ushtarakë në zonë”, tha ajo.
”Raketa u hodhën në Izrael sot herët”, tha ushtria, me rreth 10 raketa të interceptuara në zonën Meron, në Izraelin verior.
Përpara njoftimit të Izraelit, Uashingtoni tha se ishte informuar për “operacione të kufizuara” të planifikuara në kufirin libanez.
”Izraeli tha se këto ishin operacione të kufizuara” të fokusuara në infrastrukturën e Hezbollahut pranë kufirit”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Matthew Miller, i cili nuk dha detaje të mëtejshme.
Ndërsa luftimet midis Izraelit dhe milicisë libaneze të Hezbollahut vazhdojnë, qindra persona janë vrarë dhe dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur në Liban.
Komuniteti ndërkombëtar po kërkon shpërshkallëzimin mes sulmeve të vazhdueshme izraelite dhe hakmarrjeve të Hezbollahut, por përpjekjet për një armëpushim deri më tani janë refuzuar nga të dyja palët./ a.jor.