E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – KE propozon shpenzime mbi 270 miliardë euro në 2025

BRUKSEL, 19 qershor /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian ka propozuar një buxhet të BE-së për vitin 2025 prej afro 200 miliardë eurosh (215 miliardë dollarë), plus 72 miliardë euro nga një fond i financuar nga borxhi i krijuar në vitin 2020 për rimëkëmbjen ekonomike pas Covid-19.

Siç ndodh zakonisht, pjesa më e madhe e buxhetit do të shkonte për subvencionet bujqësore: rreth 54 miliardë euro. Pothuajse po aq i madh është edhe fondi prej 49 miliardë eurosh i caktuar për zhvillimin rajonal në zonat më të varfra të Evropës.

Buxheti 2025 është pjesa vjetore e buxhetit shtatëvjeçar të Bashkimit Evropian për 2021-2027, i vendosur në vitin 2020, por në mënyrë të pazakontë u rrit në fillim të këtij viti.

Buxheti i BE-së përcakton kufijtë e sipërm për atë që blloku mund të shpenzojë në fusha të ndryshme.

Shumica e të ardhurave për të mbuluar këtë shpenzim vjen nga kontributet e shteteve anëtare të BE-së, bazuar në të ardhurat e tyre kombëtare bruto. Disa fonde vijnë gjithashtu nga doganat dhe detyrimet e tjera.

Zakonisht, BE-së nuk i lejohet të marrë hua para për të financuar buxhetin e saj. Por gjatë pandemisë Covid-19, blloku ra dakord në mënyrë të jashtëzakonshme në vitin 2020 për të krijuar një buxhet të veçantë rikuperimi të financuar nga borxhi i quajtur ”Next GenerationEU”./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›