E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Kina në alarm: Formohet një liqen i ri pas përmbytjeve katastrofike në Himalaje

PEKIN, 30 gusht /ATSH-DPA/- Autoritetet kineze janë vënë në alarm pas formimit të një liqeni të ri në Himalaje, si pasojë e përmbytjeve të fuqishme, që goditën këtë javë zonën kufitare mes Nepalit dhe Kinës.

Ekspertët po monitorojnë liqenin me dronë zbulimi, pasi ekziston frika se uji i grumbulluar mund të shpërthejë papritur dhe të shkaktojë një tjetër përmbytje, nëse çan masat e baltës dhe mbeturinave që e mbajnë të bllokuar.

Liqeni u zbulua dje në mbrëmje, pasi rrëshqitjet e dheut bllokuan rrjedhën e ujit dhe shkaktuan grumbullimin e tij.

Për arsye sigurie, ekipet e shpëtimit pranë pikës kufitare Gyirong, një nga kalimet kryesore tokësore mes Kinës dhe Nepalit, u zhvendosën në zona më të sigurta.

Ekipet kineze po i përqendrojnë kërkimet për personat e zhdukur në këtë zonë.

Autoritetet kishin ngritur më herët alarmin edhe për një liqen tjetër të përkohshëm që ishte formuar në jugperëndim të Tibetit, por ai më pas u tha natyrshëm.

Rreziku i përmbytjeve të tjera ka penguar vazhdimisht operacionet e kërkim-shpëtimit në të dyja anët e kufirit.

Sot në mëngjes, në Nepal u dha një tjetër paralajmërim për përmbytje në zonën e katastrofës.

Sipas autoriteteve nepaleze, të paktën 734 persona kanë humbur jetën dhe rreth 2 500 të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Mediet shtetërore kineze kanë raportuar të paktën 16 viktima dhe 546 të zhdukur.

Mes personave të zhdukur ndodhen edhe qindra shtetas të huaj. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›