Përfundon rikonstruksioni i fushës me bar natyral të kompleksit sportiv në Elbasan

TIRANË, 30 gusht /ATSH/ Ka përfunduar rikonstruksioni i fushës me bar natyral në kompleksin sportiv “Shefqet Lamçja” në Elbasan, duke i shtuar një tjetër terren cilësor infrastrukturës sportive në vend.
Projekti ka përfshirë ndërtimin e bazamentit, sistemin modern të drenazhimit, depozitën e ujit dhe sistemin e vaditjes, ndërsa në fazën përmbyllëse u realizua edhe mbjellja e barit natyral.
Fusha tashmë është e përfunduar dhe do të jetë një prej terreneve që do të përdoren në kuadër të organizimit të Kampionatit Europian U-21, që do të zhvillohet në Shqipëri në vitin 2027.
Paralelisht me rikonstruksionin e fushës, bashkia Elbasan ka investuar në përmirësimin e ambienteve të kompleksit, përfshirë dhomat e zhveshjes, të cilat tashmë ofrojnë kushte më funksionale dhe bashkëkohore për sportistët.
Ky investim i jep Elbasanit një tjetër terren bashkëkohor për zhvillimin e futbollit dhe është pjesë e punës së vazhdueshme për modernizimin e infrastrukturës sportive në funksion të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare që do të zhvillohen në vend.
1 nga 3