E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Kremlini: Dorëheqja e Starmerit nuk pritet të përmirësojë marrëdhëniet Rusi-BM

MOSKË, 22 qershon /ATSH – AA/ – Kremlini tha sot se dorëheqja e kryeministrit britanik Keir Starmer nuk ka gjasa të sjellë një përmirësim në marrëdhëniet midis Moskës dhe Londrës.

Duke folur në një konferencë për media në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Starmer nuk do të mbahet mend në Rusi për ndonjë përpjekje për të përmirësuar lidhjet dypalëshe.

“Ka shumë pyetje nëse gjërat mund të përmirësohen pas tij, por nuk ka gjasa që dikush në skenën politike të Britanisë të ketë një qëndrim për marrëdhëniet tona dypalëshe që ndryshon ndjeshëm nga ai i Keir Starmerit”, tha Peskov.

Duke iu kthyer sulmeve të Ukrainës në infrastrukturën energjetike të Rusisë, Peskov tha se autoritetet po punojnë për të zbutur efektet dhe për të siguruar furnizimin me karburant për banorët.

Komentet e tij erdhën pasi autoritetet njoftuan kufizime në shitjet e karburantit në pikat e karburantit, me furnizime në disa rajone të rezervuara përkohësisht për shërbimet shtetërore përgjegjëse për sigurinë publike dhe operacionet thelbësore.

Ai theksoi se qeveria po koordinohet me kompanitë e naftës dhe po merr masa për të adresuar situatën.

Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se presidenti Vladimir Putin dhe homologu i tij bjellorus Alexander Lukashenko planifikojnë të zhvillojnë bisedime në të ardhmen e afërt, duke ofruar mundësi për të diskutuar kërcënimet e bëra nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ndaj Bjellorusisë.

Peskov i karakterizoi deklaratat e Zelenskyyt si ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi tjetër dhe tha se Rusia nuk ka asnjë dyshim se Bjellorusia është e aftë të mbrojë sovranitetin e saj.

Peskov konfirmoi se kanë pasur kontakte midis homologëve rusë dhe serbë në lidhje me të ardhmen e kompanisë serbe të naftës “NIS”, në të cilën “Gazprom”-i i Rusisë mban një pjesë. Ai tha se diskutimet janë të natyrës komerciale dhe nuk pranoi të zbulojë detaje.

Asetet ruse energjetike të lidhura me “NIS”-in janë përballur me presionin nga sanksionet amerikane të vendosura ndaj aksionarëve rusë të kompanisë.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›