ZVICËR – JD Vance: Irani do të lejojë rifillimin e inspektimeve ndërkombëtare bërthamore

OBUERGEN, 22 qershor /ATSH/- Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi sot se Irani ka pranuar rikthimin e inspektorëve bërthamorë në vend – një kërkesë kyçe e komunitetit ndërkombëtar – ndërsa bisedimet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike pritet të zhvillohen “që sot”, raportoi BBC.
Vance tha se është bërë “progres i madh” pas raundit të parë të negociatave mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që synon t’i japë fund luftës, duke përsëritur deklaratat e ndërmjetësve.
Sipas tij, ekipet negociuese kanë diskutuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe zbutjen e tensioneve për armëpushimin rajonal.
Një memorandum mirëkuptimi, i nënshkruar javën e kaluar, parashikon rihapjen e kësaj rruge detare strategjike dhe ndaljen e luftimeve në “të gjitha frontet”, përfshirë edhe Libanin.
Në një deklaratë të përbashkët, ndërmjetësit e Katarit dhe Pakistanit thanë se, pas raundit të parë të bisedimeve, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për një hartë rruge drejt një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditësh.
Vance i përshkroi negociatat, si një bazë të fortë për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare.
Duke folur nga Zvicra sot në mëngjes, zëvendëspresidenti amerikan tha se çështja bërthamore ishte “ndoshta ajo për të cilën ne si amerikanë jemi më të entuziazmuar”.
“Kjo është një arritje e madhe për popullin amerikan dhe një hap i parë, drejt përfundimit të përhershëm të një programi të armëve bërthamore në Iran”, u shpreh ai.
Irani ka këmbëngulur gjithmonë se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile. //a.i/