E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Lufta në Iran rrezikon mbi 200 000 vende pune në Gjermani

BERLIN, 22 prill /ATSH-AA/ – Sipas kompanisë së sigurimit të kredive “Allianz Trade”, më shumë se 200 mijë vende pune në Gjermani mund të rrezikohen gjatë këtij viti si pasojë e ndikimeve ekonomike të luftës në Iran, ka raportuar të mërkurën transmetuesi privat gjerman n-tv.

Siç raporton transmetuesit privat gjerman n-tv, “Allianz Trade” tha se falimentimet e bizneseve pritet të vënë në rrezik më shumë se 200.000 vende pune në Gjermani gjatë këtij viti.

“Konflikti në Lindjen e Mesme tashmë po ka një ndikim të rëndësishëm në Gjermani dhe lufta tregtare me SHBA-në ende nuk ka përfunduar”, tha Milo Bogaerts, kreu i kompanisë “Allianz Trade” për Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën.

Ai shtoi se në Gjermani pritet rritje e falimentimeve me 2,4 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke arritur në 24.650 raste, që do të përbënte nivelin më të lartë në 14 vitet e fundit.

Sipas Zyrës Federale të Statistikave, gjykatat lokale në Gjermani regjistruan 24.064 raste falimentimesh vitin e kaluar, një rritje e ndjeshme prej rreth 10,3 për qind

Shefja ekzekutive e “Allianz Trade”, Aylin Somersan Coqui, tha se kompania në nivel global parashikon rritje prej 6 për qind të falimentimeve të kompanive, me ritëm më të shpejtë se në Gjermani. Ekspertët kanë rishikuar parashikimet për shkak të luftës në Iran, e cila po rrit presionin mbi sektorët me intensitet të lartë energjie si transporti, kimikatet dhe metalet.

Megjithatë, sipas vlerësimeve të siguruesit, pritet një përmirësim në vitin e ardhshëm, me një rënie prej 2 për qind të falimentimeve në Gjermani, në rreth 24.150 raste, pasi presioni nga lufta mund të zbutet dhe masat stimuluese ekonomike të japin efekt.   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›