E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – “Ryanair” paralajmëron krizë karburanti pas majit, paqartësi për furnizimet

LONDËR, 22 prill /ATSH/ – “Ryanair”, kompania më e madhe ajrore low cost në Evropë, aktualisht arrin të sigurojë nga furnitorët karburant për avionë deri në fund të majit dhe rrezikon të paguajë deri në 600 milionë dollarë më shumë brenda një viti për shkak të rritjes së fortë të çmimit të naftës, edhe pse në muajt e kaluar ka blerë me çmime më të ulëta 80% të nevojave të saj, tha Michael O’Leary, përfaqësuesi ekzekutiv i shoqërisë ajrore gjatë një tryeze të rrumbullakët me një grup gazetarësh italianë në selinë qendrore të kompanisë, sipas “Corriere della Sera”.

Kompania low cost po përgatitet të shpenzojë edhe 50 milionë euro shtesë për karburantin e majit, pasi ka paguar rreth 50 milionë edhe në prill, llogarit O’Leary, i cili përpiqet të qetësojë lidhur me furnizimin me karburant në Evropë, megjithëse thekson disa probleme në Britaninë e Madhe.

”Për momentin, të gjitha kompanitë e naftës thonë se nuk ka rrezik për furnizimet gjatë majit, por ende nuk jemi të sigurt për qershorin”, shpjegon ai.

Gjatë një ore e pesë minutash bisede, drejtuesi i kompanisë low-cost nuk tregohet aspak diplomat.

”Kërkesa për udhëtime për ne ka qenë shumë e fortë gjatë Pashkëve. Po shohim një dobësim të çmimeve për momentin për qershorin, korrikun dhe gushtin”, tha ai.

”Arsyeja? Mendojmë se njerëzit po i shtyjnë rezervimet. Ka shumë narrativë mediatike të tipit se fluturimet do të anulohen apo bota do të mbetet pa naftë. Pastaj është ai raport i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë që del e thotë se Evropa ka mbetur me vetëm gjashtë javë karburant për avionët”, përfundoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›