FOKUS – ”Lufthansa” ul kapacitetet për shkak të rritjes së kostove të karburantit

FRANKFURT, 16 prill /ATSH-AA/ – Kompania ajrore gjermane ”Lufthansa” njoftoi sot se do të ulë kostot, ndërsa përballet me rritje të ndjeshme të çmimeve të karburantit dhe presion nga mosmarrëveshjet me punonjësit.
Kompania planifikon të reduktojë kapacitetin, të nxjerrë më herët nga përdorimi avionët e vjetër dhe të transferojë më shumë avionë në njësinë e saj me kosto më të ulët, “Discover Airlines”.
Kostot e karburantit janë më shumë se dyfishuar krahasuar me nivelet para luftës me Iranin, thuhet në një deklaratë.
Si hap i parë i menjëhershëm, 27 avionë operativë të Lufthansa CityLine do të hiqen përfundimisht nga programi i fluturimeve duke filluar nga 18 prilli. Lufthansa tha se avionët Canadair CRJ po i afrohen fundit të jetëgjatësisë së tyre teknike të funksionimit dhe kanë kosto relativisht të larta operimi.
Në vazhdim, Lufthansa do të reduktojë kapacitetin e fluturimeve ndërkontinentale me gjashtë avionë në fund të orarit veror të fluturimeve. Katër avionët e fundit Airbus A340-600 do të dalin nga flota në tetor, ndërsa dy avionë Boeing 747-400 do të ndalojnë gjithashtu fluturimet nga tetori për sezonin dimëror.
Gjatë orarit dimëror të fluturimeve 2026–2027, Lufthansa do të ndërmarrë një hap të tretë duke ulur kapacitet shtesë në fluturimet e shkurtra dhe të mesme në markën kryesore, ekuivalente me pesë avionë.
Lufthansa gjithashtu tha se do të përshpejtojë transferimin e nëntë avionëve shtesë Airbus A350-900 te “Discover Airlines” sipas planifikimit afatmesëm të flotës.
Drejtori financiar Till Streichert ka thënë se kjo paketë masash ishte e pashmangshme për shkak të rritjes së madhe të kostove të kerozinës dhe paqëndrueshmërisë gjeopolitike. /os/