SHBA – Trump njofton arritjen e një armëpushimi 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit

UASHINGTON, 16 prill /ATSH/- Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot pasdite se liderët izraelitë dhe libanezë kanë rënë dakord për një armëpushim 10-ditor, që do të nisë brenda pak orësh, sipas BBC.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump deklaroi se armëpushimi do të fillojë në orën 17:00 me orën e SHBA-së Lindore (22:00).
Gjithashtu, ai u shpreh se “të dyja palët duan paqe” dhe shprehu besimin se një marrëveshje e qëndrueshme mund të arrihej shpejt.
Në një postim pasues, Trump njoftoi se ka ftuar kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidentin e Libanit, Joseph Aoun, në Shtëpinë e Bardhë për bisedime të mëtejshme mbi situatën e sigurisë në rajon.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse palët kanë pranuar zyrtarisht ftesën për takim në Uashington.
Trump bëri të ditur se ka zhvilluar biseda të drejtpërdrejta me liderët e Libanit dhe Izraelit, por në deklaratën e tij nuk përmendet Hezbollahu, grupi i mbështetur nga Irani, i cili ka qenë i përfshirë në përplasje të vazhdueshme me Izraelin.
Sipas presidentit amerikan, marrëveshja për armëpushim synon të krijojë hapësirë për negociata drejt një paqeje afatgjatë.
Ai shtoi se ka angazhuar zëvendëspresidentin dhe sekretarin amerikan të shtetit për të bashkëpunuar me të dy vendet në këtë drejtim.
Ndërkohë, kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, e mirëpriti njoftimin për armëpushim të përkohshëm, duke theksuar se kjo ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e Libanit që prej fillimit të konfliktit.
Ai u shpreh se shpreson që marrëveshja të mundësojë kthimin e personave të zhvendosur në shtëpitë e tyre dhe vlerësoi përpjekjet ndërkombëtare për uljen e tensioneve. //a.i/