E Diel, 1 Nëntor 2026

LIBAN – Presidenti Aoun refuzon të flasë me Netanyahun

BEJRUT, 16 prill /ATSH-DPA/- Presidenti i Libanit, Joseph Aoun nuk është ende gati për një telefonatë të drejtpërdrejtë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, thanë sot burimet në Bejrut, duke hedhur poshtë pretendimet e SHBA-së se dy udhëheqësit do të bisedonin së shpejti.

Aoun diskutoi mundësinë e një telefonate të tillë gjatë një bisede me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, por deri më tani e ka refuzuar atë, sipas burimeve qeveritare libaneze.

Një telefonatë midis Aoun dhe Netanyahut do të ishte biseda e parë e këtij lloji ndër dekada.

Shtetet fqinje, Izraeli dhe Libani, e konsiderojnë njëri-tjetrin armiq, nuk kanë marrëdhënie diplomatike zyrtare dhe janë në gjendje lufte.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një bisedë midis “udhëheqësve” të Izraelit dhe Libanit për këtë të enjte, pasi ambasadorët e tyre u takuan në Uashington të martën për bisedime të drejtpërdrejta politike, për herë të parë në disa dekada.

Konflikti midis Izraelit dhe milicisë Hezbollah u përshkallëzua sërish pas luftës së Iranit.

Qeveria libaneze nuk është një palë aktive në luftë dhe po kërkon qetësim.

Në të njëjtën kohë, ajo po bën akuza të rënda kundër Izraelit për sulmet e vazhdueshme në Liban, në të cilat, sipas shifrave zyrtare, janë vrarë 2 196 persona dhe plagosur 7 185 të tjere, që nga 2 marsi.

Hezbollahu i mbështetur nga Irani, deri më tani ka refuzuar bisedimet midis qeverisë dhe Izraelit. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›