FOKUS – Mbi 250 media protestojnë kundër vrasjes së gazetarëve në Gaza

PARIS, 1 shtator /ATSH-DPA/ – Më shumë se 250 media nga më shumë se 70 vende i errësuan faqet e tyre të para dhe faqet kryesore të internetit dhe ndërprenë sot transmetimet e tyre për të protestuar kundër vrasjes së gazetarëve në Rripin e Gazës.
“Reporterët pa Kufij”, të cilët organizuan protestën, thanë se 220 gazetarë janë vrarë nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës në më pak se dy vjet.
“Me ritmin që gazetarët po vriten në Gaza nga ushtria izraelite, së shpejti nuk do të mbetet askush për t’ju mbajtur të informuar. Kjo nuk është vetëm një luftë kundër Gazës, është një luftë kundër gazetarisë”, tha në një deklaratë drejtori i Përgjithshëm i ”Reporterëve pa Kufij”, Thibaut Bruttin.
Ushtria izraelite vazhdimisht thekson se sulmet e saj synojnë vetëm grupin islamik palestinez Hamas dhe organizata të tjera terroriste, dhe se po përpiqet të kursejë civilët.
“Gazetarët në Gaza po shënjestrohen, vriten dhe goditen qëllimisht. Pa ata, kush do të na njoftojë për urinë? Kush do të ekspozojë krimet e luftës? Kush do të na tregojë gjenocidet?”, pyet Bruttin.
Ai tha se gazetarët palestinezë duhet të mbrohen dhe duhet të merren nga vendet e tjera nëse duan të evakuohen nga Rripi i Gazës./ /Ad.Ab./