FOKUS – Mongolia: Arsyeja e mosarrestimit të Putinit është varësia e plotë energjetike nga Rusia

ULAN BATOR, 4 shtator /ATSH-ANSA/ – Qeveria e Mongolisë fajësoi për vendimin e saj për të mos arrestuar presidentin rus Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në vend, varësinë pothuajse të plotë energjetike nga Moska.
Kjo arsye, sipas saj, e bënte të vështirë prangosjen e Putinit, sipas një urdhri të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) për krime lufte në Ukrainë të kryera nga Rusia.
Në një deklaratë zëdhënësi i qeverisë mongole tha se ”Mongolia importon 95% të produkteve të saj të naftës dhe më shumë se 20% të energjisë elektrike nga fqinja e saj dhe se ky furnizim është thelbësor për të garantuar ekzistencën tonë dhe të njerëzve tanë”.
“Mongolia ka mbajtur gjithmonë një politikë neutraliteti në të gjitha marrëdhëniet e saj diplomatike, siç tregohet nga deklaratat tona zyrtare të deritanishme”, shtoi ai.
Vendi është anëtar i Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC)./ /os/