FOKUS – NATO pret një marrëveshje të shpejtë mbi garancitë e sigurisë në Ukrainë

BRUKSEL, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, beson se ‘’Koalicioni i të Gatshmëve’’, një aleancë kombesh të gatshme për të penguar Rusinë nga një sulm i ri sapo të arrihet paqja në Ukrainë, së shpejti do të arrijë një marrëveshje mbi një koncept për garancitë e sigurisë për Kievin.
Duke folur të mërkurën pas një takimi me presidentin estonez Alar Karis në Bruksel, Rutte tha se pret që “nesër ose menjëherë pasnesër, do të dalë qartësi mbi atë që mund të arrijmë së bashku”.
“Kjo do të thotë që ne mund të angazhohemi edhe më intensivisht, përfshirë edhe me palën amerikane”, shtoi ai.
Takimi i ardhshëm i ‘’Koalicionit të të Gatshmëve’’, një grupim prej rreth 30 kombesh që mbështesin Kievin kundër një pushtimi të plotë rus të nisur në shkurt 2022, do të mbahet nesër në Paris.
Ndër çështje të tjera, bisedimet do të përqendrohen në llojin e garancive të sigurisë që mund t’i ofrohen Ukrainës për të parandaluar një sulm tjetër rus në rast të një armëpushimi. /os/