BRUKSEL – Kallas: BE duhet të vendosë çfarë të bëjë me rendin e ri global

BRUKSEL, 3 shtator /ATSH-ANSA/ – Po lind një rend i ri global dhe ai nuk mund të përkufizohet pa Evropën, por do të formohet nga ajo që Evropa vendos të bëjë, deklaroi sot përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, gjatë fjalimit të saj në EUISS.
”Nëse jemi të gatshëm duhet të pranojmë nevojën që Evropa të luajë një rol gjeopolitik, nëse jemi të gatshëm duhet të ndërtojmë fuqinë tonë gjeopolitike për ta bërë këtë”, theksoi ajo.
“Për ata që ende dyshojnë nëse Evropa duhet të luajë një rol gjeopolitik, ne gjithmonë e kemi bërë këtë kur ka qenë e nevojshme dhe e njëjta gjë vlen edhe sot”, shtoi Kallas.
“Kur presidenti Xi foli për krijimin e një lloji të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare gjatë takimit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait këtë javë, ishin të pranishëm udhëheqës nga mbi 20 vende. Vetëm disa prej këtyre vendeve mund të konsiderohen demokratike, shumica kanë rezultate të dobëta në indekset e të drejtave të njeriut, dhe asnjë nuk konsiderohet plotësisht i lirë sipas indeksit të Freedom House”, tha ajo.
”Kjo është ajo që duhet të adresojmë. E pëlqejmë apo jo, Evropa është e përfshirë në një betejë për lirinë. Për të marrë pjesë si një lojtare e barabartë, Evropa duhet të ndërtojë fuqinë e saj gjeopolitike. Dhe fuqia gjeopolitike bazohet në forcën ushtarake dhe ekonomike”, përfundoi Kallas./ /Ad.Ab./