TEL AVIV – Smotrich kërkon aneksimin e 82% të Bregut Perëndimor

TEL AVIV, 3 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri i Financave i krahut të djathtë ekstrem në Izrael, Bezalel Smotrich, kërkon që Izraeli të aneksojë 82% të Bregut Perëndimor.
Sipas planit që ai paraqiti sot përpara gazetarëve, palestinezët fillimisht do të mbeten nën Autoritetin Palestinez në 18% të territorit që mbetet.
Më vonë, sipas tij, do të merren në konsideratë ”zgjidhje alternative rajonale administrative”, por pa dhënë detaje.
Smotrich theksoi se në të ardhmen nuk duhet të ketë ”asnjë entitet palestinez” që ruan aspirata kombëtare të cilat, sipas tij, synojnë të shkatërrojnë aspiratat kombëtare të Izraelit.
Ai akuzoi popullsinë palestineze në Bregun Perëndimor se mbështet Hamasin dhe kërkon shkatërrimin e Izraelit.
Duke iu referuar planeve të vendeve si Franca, Belgjika dhe Kanadaja për të njohur një shtet palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ai e quajti këtë një ”konferencë franko-islamike”.
Ai e përshkroi Autoritetin Palestinez si një ”organizatë terroriste” dhe kërcënoi se do të ”shkatërrohet, ashtu siç u shkatërrua Hamasi”, nëse guxon të ”ngrejë kokën”.
Smotrich i bëri thirrje kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të thërrasë qeverinë dhe të marrë një vendim historik mbi aneksimin./ /Ad.Ab./