E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – Një cenueshmëri serioze në PHP rrezikon sigurinë e faqeve të internetit në mbarë botën

BERLIN, 21 tetor /ATSH-DPA/ – Një cenueshmëri serioze në gjuhën e programimit PHP, e përdorur gjerësisht për ndërtimin dhe funksionimin e faqeve të internetit, ka ngritur shqetësime për sigurinë e miliona shërbimeve online në mbarë botën.  

Ekspertët e sigurisë kanë paralajmëruar për dy dobësi kritike në bërthamën e PHP-së, të identifikuara me emërtimet “PHP2Shell” dhe kodet CVE-2026-109618 dhe CVE-2026-109619.

Sipas paralajmërimeve, shfrytëzimi i këtyre dobësive mund t’u mundësojë sulmuesve të ekzekutojnë nga distanca kode keqdashëse në serverët e cenueshëm. Kjo mund të çojë në marrjen e kontrollit të faqeve të internetit, vjedhjen e të dhënave sensitive të përdoruesve dhe përdorimin e infrastrukturës së komprometuar për sulme të tjera kibernetike.

Shërbimi i Bashkimit Evropian për sigurinë kibernetike, CERT-EU, u ka rekomanduar organizatave të shqyrtojnë izolimin e aplikacioneve të ekspozuara në internet nga rrjetet publike deri në instalimin e përditësimeve përkatëse të sigurisë.

Zhvilluesit e PHP-së kanë publikuar versione të përditësuara që synojnë të korrigjojnë dobësitë, ndërsa ekspertët u kanë bërë thirrje administratorëve të sistemeve dhe ofruesve të shërbimeve të internetit që të instalojnë sa më shpejt përditësimet e nevojshme.

PHP përdoret gjerësisht në funksionimin e faqeve të internetit, përfshirë blogjet, portalet e lajmeve, platformat e tregtisë elektronike dhe sistemet e menaxhimit të përmbajtjes, si WordPress. Për këtë arsye, një cenueshmëri në këtë teknologji mund të ketë ndikim të gjerë në shërbimet online.

Sipas raportimit, publikimi i parakohshëm i informacioneve të hollësishme mbi dobësitë ka rritur presionin mbi sektorin e teknologjisë së informacionit, duke u dhënë sulmuesve të mundshëm mundësi të përgatitin mjete për shfrytëzimin e tyre.

Disa institucione publike, universitete dhe spitale kanë ndërmarrë masa parandaluese, duke i nxjerrë përkohësisht jashtë funksionit disa shërbime online. Qyteti gjerman i Mainz-it, sipas raportimit, çaktivizoi përkohësisht disa shërbime dhe portalin e tij qendror të internetit, pas një paralajmërimi nga autoritetet federale.

Administrata e qytetit bëri të ditur se zyrat dhe qendrat e shërbimit për qytetarët vijuan të ishin të arritshme përmes telefonit dhe postës elektronike, ndërsa takimet e planifikuara do të zhvilloheshin sipas programit.

Ekspertët këshillojnë që administratorët e faqeve të internetit të kontaktojnë menjëherë përgjegjësit e sistemeve, ofruesit e shërbimeve të teknologjisë së informacionit ose kompanitë e hostimit, për të verifikuar ekspozimin ndaj rrezikut dhe për të instaluar përditësimet përkatëse.

Përdoruesit e zakonshëm nuk kanë nevojë të ndërmarrin masa të veçanta në telefonat apo kompjuterët e tyre vetëm për shkak të kësaj cenueshmërie, pasi problemi lidhet me serverët ku funksionojnë faqet e internetit dhe jo drejtpërdrejt me pajisjet e përdoruesve.

Megjithatë, ata mund të preken nga ndërprerjet e përkohshme të shërbimeve online ose nga ekspozimi i mundshëm i të dhënave personale në rastet kur faqet e prekura nuk janë mbrojtur në kohë./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›