Kursantët e papunë përfitojnë 50% të pagës minimale dhe bonus transporti

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Punëkërkuesit nga grupet e veçanta do të përfitojnë mbështetje financiare për ndjekjen e kurseve të formimit profesional, si dhe subvencionim të shpenzimeve të transportit.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, të propozuar nga ministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, pagesa për pjesëmarrjen në kurset e formimit profesional do të jetë në masën 50% të pagës minimale, për çdo orë mësimore të frekuentuar.
Ndërsa për kursantët që kanë vendbanimin më shumë se dy kilometra larg institucionit të formimit profesional, parashikohet një bonus transporti prej 1800 lekësh në muaj.
Pagesat do të kryhen çdo muaj në llogarinë bankare të përfituesve, për gjithë kohëzgjatjen e kursit, pas dorëzimit të dokumentacionit që vërteton pjesëmarrjen.
Në vendim thuhet se “përfituesit mund të mbështeten financiarisht për vetëm një kurs brenda 12 muajve. Në rast se kursanti largohet me dëshirë nga kursi ose mungon në më shumë se 20% të orëve mësimore, pagesa ndërpritet menjëherë dhe ai humbet të drejtën e përfitimit për muajin aktual dhe në vijim”.
Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, përmes drejtorive rajonale, do të vlerësojë nevojat e punëkërkuesve të papunë nga grupet e veçanta dhe do t’i referojë ata në kurset përkatëse të formimit profesional.
Sipas vendimit, në përfundim të kursit, pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë të njohur në nivel kombëtar, ndërsa kurset që zhvillohen në kuadër të programit të të nxënit në vendin e punës nuk përfshihen në këtë skemë mbështetjeje.
Vendimi parashikon që programi të zbatohet për një periudhë pesëvjeçare nga hyrja në fuqi. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i shtetit, në kuadër të programit “Tregu i punës”.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
/e.i/a.f/r.e/