E Diel, 1 Nëntor 2026

Logu: 432 protestues të asistuar nga ekipi ligjor i PD-së, 239 të liruar me vendim gjykate

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në Partinë Demokratike, Marash Logu gjatë një deklarate për mediet tha se avokatët e PD-së  përfaqësuan sot 28 protestues, për të cilët gjykata urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Sipas tij, “që prej 13 tetorit, ekipi ynë ligjor u ka ofruar asistencë 432 protestuesve të shoqëruar, nga të cilët janë liruar menjëherë 184 protestues”.

“Ndërsa ka përfaqësuar në gjykatë 248 protestues të arrestuar, nga të cilët janë liruar 239 protestues me vendim gjyqësor”, tha Logu.

Logu bëri me dije se për çdo rast kur është caktuar masë sigurimi, PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe do të paraqesë ankim në Gjykatën e Apelit, sapo të zbardhen vendimet përkatëse.

“Po kështu, për çdo rast dhune policore do të kërkojmë përgjegjësi penale. Deri tani kemi depozituar dy kallëzime penale dhe po mbledhim prova për katër kallëzime të tjera”, tha ai.

Sipas tij, dhuna ndaj protestuesve nuk mund të mbetet pa përgjegjësi dhe ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë.

Logu u shpreh se Partia Demokratike është në gatishmëri të plotë deri në garantimin e të drejtave të çdo protestuesi, respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë të kujtdo që shkel ligjin.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›