E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – OKB kritikon ashpër sulmin rus në spitalin e fëmijëve në Kiev

GJENEVË, 9 korrik /ATSH-DPA/ – Hetimet paraprake nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut kanë zbuluar se spitali i shkatërruar i fëmijëve në Kiev u godit drejtpërdrejt nga një raketë ruse tip ”Kh-101”.

OKB deklaruan se specialistët e tyre kanë dalë në këtë përfundim pasi kanë analizuar pamjet video dhe kanë ekzaminuar drejtpërdrejt dëmet në vend.

Ata e quajtën atë “një nga sulmet më të tmerrshme që kemi parë që nga fillimi i pushtimit”.

Sipas OKB-së stafi i çoi pacientët e vegjël në siguri në bunker pak para sulmit përndryshe numri i viktimave do të ishte dukshëm më i lartë.

Të 600 pacientët në spital ishin transferuar në objekte të tjera shëndetësore.

Spitali, ku trajtoheshin shumë fëmijë me kancer dhe sëmundje të tjera të rënda, ishte dëmtuar rëndë dhe nuk mund të përdorej më.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka numëruar afro 1 900 sulme në spitale, klinika, ambulanca dhe objektiva të ngjashme që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt 2022.

”Sipas ligjit ndërkombëtar humanitar të zbatueshëm universal, objekte të tilla shëndetësore nuk mund të sulmohen”, deklaroi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›