E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Polonia: Pezullimi i azilit bazohet në dyshimet se Bjellorusia po shtyn migrantët drejt kufirit të përbashkët

VARSHAVË, 16 tetor /ATSH-DPA/ – Planet e Polonisë për të pezulluar të drejtën për azil bazohen në dyshimet se Bjellorusia fqinje po kërkon të shtyjë një numër të madh migrantësh drejt kufirit të përbashkët të vendit, deklaroi sot zëvendësministri i Brendshëm  polak, Maciej Duszczyk.

”Informacioni që kemi për skenarë të ndryshëm që po zhvillohen në Bjellorusi dhe Rusi justifikojnë një valvul të tillë sigurie”, tha Duszczyk për transmetuesin TVN24.

”Bjellorusia po punon për një krizë të nxehtë kufiri dhe migracioni duke planifikuar të detyrojë me dhunë qindra njerëz drejt kufirit të jashtëm të BE-së për të destabilizuar situatën në Poloni”, tha ai.

Kjo vjen pasi kryeministri polak Donald Tusk njoftoi planet e vendit të tij për të pezulluar  të drejtën e azilit.

Polonia dhe BE-ja kanë akuzuar presidentin rus Vladimir Putin dhe aleatin e tij bjellorus, Alexander Lukashenko për shtyrjen e emigrantëve nga rajonet e krizës drejt kufirit të jashtëm të BE-së, me qëllim që të ushtrojnë presion mbi Perëndimin.

Pavarësisht ndërtimit të një gardhi 5,5 metra të lartë dhe një sistemi të mbikëqyrjes elektronike përgjatë kufirit polak, emigrantët ende përpiqen të kalojnë kufirin ilegalisht çdo ditë.

Që nga fillimi i vitit, rojat kufitare polake kanë regjistruar tashmë pothuajse 28 000 përpjekje të tilla./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›