E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – Polonia përfituesja më e madhe e kredive të BE-së për mbrojtjen

BRUKSEL,  9 shtator /ATSH-DPA/ – Komisioni Evropian zbuloi se do të shpërndajë kreditë për investime në mbrojtje, me një vlerë totale prej 150 miliardë eurosh midis vendeve të BE-së.

Polonia do të marrë pjesën më të madhe, me mbi 43 miliardë euro, e ndjekur nga Rumania, Hungaria dhe Franca, të cilat do të marrin secila mbi 16 miliardë euro.

Italia do të marrë afërsisht 15 miliardë euro.

Gjermania nuk ishte midis 19 shteteve anëtare që kishin shprehur interes për financimin.

Vendet kandidate tani duhet të paraqesin plane investimi përpara se shumat të finalizohen.

Kreditë për prokurimin e përbashkët të armëve do të garantohen nga buxheti i BE-së dhe kanë për qëllim t’u mundësojnë vendeve të blejnë sisteme mbrojtjeje ajrore dhe raketore, sisteme artilerie, raketa dhe municione, dronë dhe sisteme anti-dronë, si dhe pajisje të tjera ushtarake.

”Paratë shtesë do të ndihmojnë në pengimin e armiqve tanë dhe forcimin e mbrojtjes së Evropës”, theksoi komisioneri evropian i Mbrojtjes, Andrius Kubilius.

“Që tani e tutje, ne do të punojmë ngushtë me shtetet anëtare për të siguruar që ky financim të përdoret për të përmirësuar ndërveprimin, për të zhvilluar bazën industriale të mbrojtjes evropiane dhe për të forcuar aftësitë tona të mbrojtjes kolektive”, shtoi ai./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›