MADRID – Spanja u ndalon hyrjen dy ministrave izraelitë dhe vendos embargo armësh

MADRID, 9 shtator /ATSH-DPA/ – Qeveria spanjolle njoftoi se po u ndalonte ministrave izraelitë dhe kujtdo që është i përfshirë drejtpërdrejt, sipas saj, në gjenocid, shkelje të të drejtave të njeriut dhe krime lufte në Gaza, që të hynin në vend, ndërkohë që vendosi edhe një embargo armësh.
Këshilli i Ministrave ndaloi konkretisht ministrin e Financave, Bezalel Smotrich dhe ministrin e Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir, sipas televizionit RTVE.
”Spanja nuk mund të mbetej inaktive përballë kaq shumë vdekjeve të pafajshme në Gaza”, u tha ministri i Jashtëm José Manuel Albares gazetarëve pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Një listë e personave të ndaluar do të hartohet për përfshirje në Sistemin e Informacionit Schengen.
”Lista do të përfshijë edhe kolonët izraelitë”, sipas qeverisë.
Kur u pyet nëse vendimi ka të bëjë me kryeministrin Benjamin Netanyahu, Albares iu referua vendimeve të marra nga gjykatat ndërkombëtare në të cilat Spanja është palë.
Kryeministri Pedro Sánchez njoftoi nëntë masa për të mbështetur popullsinë palestineze.
Këto përfshijnë burime shtesë për UNRWA-n, agjencinë e Kombeve të Bashkuara që ofron ndihmë për palestinezët dhe një ndalim të importit të produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor./ /os/