FOKUS – Rikthehet armëpushimi në Gaza pas sulmeve të rënda izraelite

TEL AVIV, 29 tetor /ATSH/- Ushtria izraelite tha sot se armëpushimi ishte rikthyer në Gaza, pasi kreu sulme të rënda ajrore gjatë natës në territorin palestinez që shkaktuan vdekjen e 104 personave, përfshirë 46 fëmijë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, sipas NPR.
Sulmet – më vdekjeprurëset që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor – shënuan sfidën më serioze për armëpushimi deri më sot.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se kishte urdhëruar sulmet pasi akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit – për dorëzimin e trupave të pengjeve izraelitë këtë javë.
Kjo u përkeqësua nga sulmet dhe vrasja e një ushtari izraelit gjatë një shkëmbimi zjarri në Rafah, qyteti më jugor në Gaza.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një udhëtim në Azi, mbrojti sulmet, duke thënë se Izraeli ishte i justifikuar në kryerjen e tyre pasi Hamasi vrau ushtarin izraelit, i cili mbante gjithashtu shtetësi amerikane.
Hamasi hodhi poshtë çdo përfshirje në sulmet vdekjeprurëse dhe nga ana tjetër akuzoi Izraelin për një shkelje të hapur të marrëveshjes së armëpushimit.
Gjithashtu, Hamasi tha se do të vononte dorëzimin e trupit të një pengu tjetër izraelit për shkak të sulmeve ajrore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, tha se Hamasi ishte përgjegjës për pasojat e shkeljes së armëpushimit dhe ia atribuoi numrin e lartë të të vdekurve sulmeve të grupit militant që përdori civilët si mburoja njerëzore.
Marmorstein tha se Uashingtoni ishte informuar për sulmet dhe se ato ishin kryer në koordinim të plotë me SHBA-në.//a.i/