E Enjte, 5 Nëntor 2026

FOKUS – Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë qindra robër lufte

KIEV, 24 gusht /ATSH-DPA/- Rusia dhe Ukraina kanë përfunduar një tjetër shkëmbim të madh të të burgosurve. Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, 115 ushtarë rusë që ishin kapur në rajonin e Kurskut – janë kthyer në atdheun e tyre pas negociatave.

Në këmbim, i njëjti numër ukrainasish u dorëzuan dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi shkëmbimin në rrjetet sociale.

“Ukraina nuk harron askënd dhe po përpiqet për të rikthyer ushtarët e saj”, tha Zelensky.

Ai falënderoi trupat e tij që kishin zënë robër rusët, duke thënë se kjo kishte bërë të mundur shkëmbimin në radhë të parë.

Zelensky ka thënë më shumë se një herë se një nga qëllimet e ofensivës ukrainase në rajonin e Kurskut është kapja e ushtarëve rusë për t’i shkëmbyer ata me ukrainasit që mbahen si robër lufte.

Më shumë se dy vjet pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës, shumica e kanaleve diplomatike mes të dy vendeve janë mbyllur, me shkëmbimin e të burgosurve – një nga zonat e pakta në të cilat Moska dhe Kievi janë ende duke bashkëpunuar. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›