E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA-ja forcon partneritetet në Amerikën Latine, Rubio viziton Kolumbinë, Ekuadorin dhe Perunë

UASHINGTON, 4 shtator /ATSH/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të vizitojë Kolumbinë, Ekuadorin dhe Perunë nga 8 deri më 10 shtator, si pjesë e një turi diplomatik që synon forcimin e partneriteteve të SHBA-së në Amerikën Latine, sipas “Reuters”.

Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, Rubio do të zhvillojë takime me qeverinë e re të Kolumbisë, presidentin e Ekuadorit, Daniel Noboa dhe qeverinë e re të Perusë.

Kjo do të jetë vizita e parë e Rubios në cilësinë e sekretarit amerikan të Shtetit në Kolumbi dhe Peru.

Në qendër të bisedimeve do të jenë siguria, lufta kundër narkoterrorizmit dhe forcimi i marrëdhënieve tregtare mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit.

Në Kolumbi, Rubio pritet të diskutojë gjithashtu mbështetjen amerikane për përballimin e pasojave të tërmetit të gushtit, i cili shkaktoi rreth 300 viktima dhe dëme të mëdha në pjesë të vendit.

Vizita zhvillohet në një periudhë kur administrata e presidentit, Donald Trump po kërkon të forcojë bashkëpunimin e sigurisë dhe ekonomik me vendet e hemisferës perëndimore.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rubio do të rikonfirmojë angazhimin e administratës Trump, për një hemisferë perëndimore të sigurt, të begatë dhe demokratike.

Në Ekuador, një çështje e rëndësishme pritet të jetë edhe bashkëpunimi kundër trafikut të drogës.

Qeveria ekuadoriane ka bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në në operacionet kundër rrjeteve të trafikut të drogës.

Rubio ka zhvilluar më parë katër vizita në Amerikën Latine dhe Karaibe, që nga marrja e detyrës si sekretar i Shtetit.

Turi diplomatik i planifikuar nga data 8 derin në 10 shtator, do të jetë i pesti i këtij niveli në rajon. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›