FOKUS – SHBA lehtëson përkohësisht sanksionet ndaj naftës iraniane

UASHINGTON, 21 mars /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar një lehtësim të përkohshëm të sanksioneve ndaj naftës iraniane që ndodhet aktualisht në anijet-cisternë në det, në një përpjekje për të stabilizuar tregjet globale të energjisë.
Departamenti i Thesarit bëri të ditur se “shitja, dorëzimi ose shkarkimi i naftës bruto apo produkteve të naftës me origjinë iraniane, të ngarkuara në çdo anije” deri më 20 mars, do të lejohen deri në orën 00:01 të datës 19 prill (04:01 GMT).
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, kishte sinjalizuar më herët këtë mundësi, duke deklaruar se SHBA-ja “mund të heqë sanksionet për naftën iraniane që ndodhet në det”.
Ai shtoi se qëllimi është përdorimi i këtyre rezervave për të mbajtur çmimet nën kontroll për 10 deri në 14 ditët e ardhshme, duke përmendur rreth 140 milionë fuçi.
Vëmendja globale është përqendruar aktualisht në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe detare për transportin e naftës nga Gjiri drejt tregjeve botërore, ku trafiku detar është ngadalësuar ndjeshëm pas sulmeve iraniane.
Në përgjigje të rritjes së çmimeve të energjisë, SHBA-ja ka lejuar gjithashtu përkohësisht blerjet e naftës ruse që ndodhet aktualisht në transport detar, me synimin për të rritur furnizimin global./ /Ad.Ab./ a.jor.