Qendra multifunksionale në Vorë, shërbime psiko-sociale për fëmijët

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Qendra multifunksionale në Vorë po shërben si një hapësirë gjithëpërfshirëse për mbështetjen e fëmijëve dhe familjeve, duke ofruar shërbime sociale, edukative dhe psikologjike për komunitetin.
Qendra Multifunksionale Vorë është shërbimi i parë i këtij lloji në Bashkinë e Vorës, i ngritur në kuadër të integrimit dhe ofrimit të shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët, të rinjtë dhe familjet. Përmes një qasjeje multifunksionale, kjo qendër ofron shërbime psiko-sociale, rehabilitim psikologjik, hapësira miqësore për fëmijët, ambiente digjitale për të rinjtë, klasa për prindërim pozitiv, si edhe shërbime sociale lëvizëse për komunitetet që nuk kanë mundësi të paraqiten pranë saj.Punonjësja sociale, Greta Koxhajo, tregon se klasat për fëmijët janë të organizuara sipas grupmoshave. Në ambientet e përbashkëta “Miqësore” mblidhen fëmijë të moshës 7–10 vjeç, ndërsa grupmoshat e tjera akomodohen në hapësira të dedikuara”, tha ajo.
Sipas saj, një nga synimet kryesore të qendrës është përfshirja e prindërve në aktivitetet e përditshme.
“Qëllimi ynë është që në këtë hapësirë të përbashkët “Miqësore” të vijnë edhe prindërit, të cilëve u jepet mundësia të ndjekin kurse profesionale dhe njëkohësisht të asistojnë fëmijët e tyre në aktivitetet sociale dhe edukative, si dhe të përfitojnë këshillim psikologjik për fëmijët e tyre që kanë nevojë”, u shpreh Koxhajo.
Përfituesit e shërbimeve vlerësojnë rolin e qendrës në përmirësimin e jetës së tyre. Një prind i një vajze të vogël tregon se prej tre vitesh kjo qendër e ka ndihmuar ndjeshëm në përballimin e sfidave të përditshme si nënë e tre fëmijëve.
Ndërkohë, një tjetër nënë shprehet se ka gjetur mbështetje të specializuar për fëmijët e saj, përfshirë edhe asistencë psikologjike. “Këtu marrim orientim për çdo ndihmë që na duhet për fëmijët dhe për të përmirësuar jetesën e tyre”, tha ajo.
Qendra multifunksionale ofron gjithashtu mundësi për zhvillimin e talenteve të fëmijëve përmes hapësirave digjitale, ku ata mësojnë të realizojnë projekte shkollore dhe të kalojnë kohën në një mjedis edukativ dhe kulturor.
Këto shërbime synojnë fuqizimin e familjes dhe rritjen e mirëqenies së komunitetit, duke krijuar mundësi të barabarta për zhvillimin e fëmijëve dhe integrimin social.
e.xh/