E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA mohon zhbllokimin e aseteve iraniane, ndërsa nisin bisedimet për paqe në Islamabad

ISLAMABAD, 11 prill /ATSH-AFP/ – Një zyrtar i lartë amerikan ka mohuar sot një raport mediatik që pretendonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin rënë dakord të zhbllokonin asetet e ngrira të Iranit, në një kohë kur delegacionet e të dy palëve kanë mbërritur në Islamabad, Pakistan, për bisedime që synojnë t’i japin fund konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas një “burimi të lartë iranian”, që foli në kushte anonimiteti, Uashingtoni kishte pranuar të lirojë fondet iraniane të mbajtura në Katar dhe në banka të tjera të huaja.

Sipas këtij burimi, kjo lëvizje lidhej drejtpërdrejt me sigurimin e kalimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit.

Megjithatë, një zyrtar i lartë amerikan nga Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë këtë pretendim, duke deklaruar shkurt si “të pavërtetë. “Takimet ende nuk kanë nisur”, tha ai.

Më herët, Teherani kishte theksuar se çdo marrëveshje për një fund të përhershëm të luftimeve duhet të përfshijë heqjen e ngrirjes së aseteve iraniane të sanksionuara, si dhe ndalimin e luftës së zhvilluar nga Izraeli kundër Hezbollah në Liban.

Ndërkohë, kryeministri i Pakistan, Shehbaz Sharif, bëri të ditur se është takuar me zëvendëspresidentin amerikan JD Vance, duke shtuar se bisedimet për paqe që synojnë t’i japin fund luftës në Lindjen e Mesme kanë “filluar” në Islamabad./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›