Bordi i Transparencës: Çmimi i naftës, jo më shumë se 209 lekë/litër

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Bordi i Transparencës ka vendosur më 11 prill 2026 çmimet tavan të tregtimit me pakicë dhe shumicë të karburanteve në vend, të cilat hyjnë në fuqi në orën 16:00 të së njëjtës ditë dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e radhës.
Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 do të jetë jo më shumë se 209 lekë/litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë/litër. Për benzinën, çmimi i shitjes me pakicë është caktuar jo më shumë se 175 lekë/litri, ndërsa ai i shumicës jo më shumë se 163 lekë/litër.
Në njoftim theksohet se institucionet përgjegjëse, përfshirë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për zbatimin e vendimit dhe mbrojtjen e konsumatorëve, si dhe për garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.
Operatorët e tregut janë të detyruar të respektojnë çmimet e përcaktuara, ndërsa në rast shkeljesh parashikohet pezullimi i aktivitetit. Sipas sqarimit, çmimet aktuale mbeten nën kufijtë e përcaktuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 03.04.2026, ndaj vijon të aplikohet niveli i plotë i akcizës (100%).
e.xh/j.p/