E Hënë, 2 Nëntor 2026

FOKUS – SHBA shkurton disa fonde sigurie për vendet që kufizohen me Rusinë

UASHINGTON, 4 shtator /ATSH/ – Shtetet e Bashkuara do të heqin gradualisht disa nga ndihmat e sigurisë për vendet evropiane pranë kufirit me Rusinë, thanë të enjten dy burime të njohura me çështjen, sipas Reuters.

Plani vjen ndërsa presidenti Donald Trump ndjek politikën e tij të jashtme “Amerika e para”, në të cilën administrata e tij ka shkurtuar ndihmën e huaj dhe po i shtyn vendet evropiane të mbulojnë më shumë nga kostot e ushtrisë së tyre.

Lufta e Rusisë me Ukrainën ka rritur shqetësimet në Evropë në lidhje me paqëndrueshmërinë rajonale dhe mundësinë e një agresioni të mëtejshëm nga Moska.

Marrësit kryesorë të financimit përfshijnë Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë.

Kongresi i SHBA-së ka miratuar financimin për planin e ndihmës, i cili është nën varësinë e Departamentit të Mbrojtjes, por vetëm deri në fund të shtatorit 2026.

Administrata e Trump nuk ka kërkuar që programi të zgjatet, sipas raportit të ”Financial Times” dhe të konfirmuar nga një prej burimeve.

I pyetur për koment, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë iu referua një urdhri që Trump nënshkroi menjëherë pas fillimit të mandatit të tij të dytë në janar.

“Në ditën e parë të mandatit të tij të dytë, presidenti Trump nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv për të rivlerësuar dhe riorganizuar ndihmën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”, tha zyrtari.

“Ky veprim është koordinuar me vendet evropiane në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv dhe theksin e hershëm të presidentit për të siguruar që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e saj”, tha zyrtari./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›