FOKUS – Shtetet baltike akuzojnë Rusinë për fushatë dezinformimi

RIGA, 10 prill /ATSH-DPA/ – Shtetet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania, kanë hedhur poshtë me vendosmëri pretendimet ruse se kanë lejuar përdorimin e territorit dhe hapësirës së tyre ajrore për sulme ukrainase ndaj Rusisë.
“Ne, ministrat e Jashtëm të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, e refuzojmë kategorikisht fushatën e vazhdueshme të dezinformimit rus kundër vendeve tona si plotësisht të pabazë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar sot.
“Shtetet baltike nuk kanë lejuar kurrë që territori dhe hapësira e tyre ajrore të përdoren për sulme me dron ndaj objektivave në Rusi”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, këto akuza ishin hedhur poshtë qartësisht që në fund të marsit edhe para të ngarkuarve me punë të misioneve ruse në Talin, Riga dhe Vilnius.
“Pavarësisht reagimit zyrtar, Rusia ka vazhduar të gënjejë,” thuhet më tej, duke theksuar gjithashtu se Ukraina ka të drejtë të mbrohet kundër luftës së agresionit të Rusisë.
Rusia ka zhvilluar një luftë shkatërruese kundër Ukrainës për më shumë se katër vjet.
Pjesë e rezistencës së Ukrainës janë edhe sulmet ajrore ndaj objekteve industriale dhe ushtarake në territorin rus.
Së fundmi, Ukraina ka goditur objektiva në veriperëndim të Rusisë, pranë kufirit me Estoninë.
Gjatë këtyre sulmeve, disa dronë ukrainas kanë hyrë në hapësirën ajrore të shteteve baltike dhe disa janë rrëzuar, por pa shkaktuar të lënduar apo dëme të mëdha.
Pas këtyre incidenteve, Rusia ka bërë pretendimet e saj të pabazuara.
“Në vend që të vazhdojë operacionet keqdashëse të informacionit, Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj të agresionit kundër Ukrainës dhe të tërheqë plotësisht forcat e saj nga të gjitha territoret e njohura ndërkombëtarisht të Ukrainës. Shtetet baltike mbeten në solidaritet të plotë me Ukrainën”, shtuan ministrat e Jashtëm./ /Ad.Ab./ a.jor.