Hetimi për TIMS, Apeli lë në “Arrest shtëpie” ish-drejtorin e IT, Ervin Muça

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Gjykata e Apelit në Tiranë ka konfirmuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, duke lënë në në fuqi masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për ish-drejtorin e IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.
Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të martën, Muça, i cili po hetohet nga prokuroria për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS gjatë kohës së tij si drejtor IT në Policinë e Shtetit, kërkoi një masë sigurie më të lehtë, siç është hetimi në gjendje të lirë. Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar hetimin e tij nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Togat e zeza, pasi shqyrtuan pretendimet e palëve vendosën të konfirmojnë vendimin e shkallës së parë, duke lënë Muçën në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ervin Muça akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS gjatë kohës së tij si drejtor IT në Policinë e Shtetit. Prokuroria e Tiranës njoftoi më datën 9 prill marrjen në hetim të Ervin Muçës në cilësinë e drejtorit të IT në Policinë e Shtetit për veprën penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Policia e Shtetit vendosi menjëherë pezullimin e tij nga detyra, ndërkohë në Kuvend është ngritur dhe komisioni i posaçëm hetimor parlamentar për hetimin mbi çështjen e kopjimit dhe daljes së të dhënave të sistemit TIMS.
/a.f/r.e/