FOKUS – Fiala mbështet të drejtën e Ukrainës për të goditur objektivat brenda Rusisë

PRAGË, 28 maj /ATSH-DPA/ – Qeveria çeke ka reaguar në mënyrë të favorshme ndaj thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për lejimin e Ukrainës të përdorë armë perëndimore për të goditur brenda territorit rus.
“Si një vend i sulmuar, Ukraina ka sigurisht çdo të drejtë të përdorë të gjitha mjetet e mbrojtjes”, tha kryeministri Petr Fiala duke e përshkruar pozicionin si “thjesht logjik”.
Sulmet ndaj objektivave ushtarakë në Rusi nga Ukraina mbulohen nga e drejta ndërkombëtare si pjesë e mbrojtjes së saj, përgjithësisht bien dakord ekspertët e ligjeve të luftës.
Por, disa vende perëndimore që mbështesin Ukrainën, si Gjermania, ngurrojnë.
Këto kryeqytete kanë frikë se lejimi i Kievit të përdorë armët e avancuara të furnizuara prej tyre për të sulmuar territorin rus, do të interpretohet nga Moska si një palë e drejtpërdrejtë e luftës.
Mbështetja e mëtejshme ushtarake për Ukrainën është tema e një darke pune në Pragë të martën në mbrëmje, në të cilën Fiala kishte ftuar përfaqësues të disa shteteve partnere të NATO-s si dhe kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal.
Presidenti polak Andrzej Duda, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri holandez Mark Rutte ishin midis atyre që pritej të merrnin pjesë.
Fiala tha se Ukraina po përballej me një moment të rrezikshëm ndërsa forcat ruse nisin sulmet përtej kufirit ukrainas në veri të Kharkiv, potencialisht duke kërkuar të hapin një front të ri në luftë.
Fiala tha se bisedimet në Pragë do të përqendrohen në heqjen e çdo pengese të mbetur për dërgesat e armëve perëndimore dhe koordinimin më të mirë të tyre.
Republika Çeke po udhëheq një iniciativë për të blerë 800 000 predha artilerie për Ukrainën nga vende jashtë Bashkimit Evropian./ /os/