FOKUS – Sulmet izraelite në të gjithë Gazën vrasin dhjetëra palestinezë

GAZA, 24 prill /ATSH-DPA/ – Një seri sulmesh ajrore izraelite në Rripin e Gazës kanë lënë dhjetëra të vdekur, raportuan sot mediet palestineze.
”Të paktën 15 persona u vranë në Jabaliya, në pjesën veriore të brezit të rrethuar bregdetar, kur një ndërtesë ku strehonte personat e zhvendosur u godit”, sipas agjencisë së lajmeve WAFA.
WAFA raportoi gjithashtu disa sulme të tjera vdekjeprurëse, përfshirë në qytetin e Gazës.
Duke cituar burime mjekësore, agjencia tha se gjithsej 52 persona ishin vrarë në sulmet izraelite që nga orët e para të mëngjesit.
Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër një qendër komandimi dhe kontrolli të përdorur nga Hamasi dhe militantët e Xhihadit Islamik palestinez në Jabaliya.
Ushtria tha se objekti po përdorej për të planifikuar dhe koordinuar sulmet ndaj civilëve izraelitë dhe se ishin marrë masa paraprake për të minimizuar dëmin ndaj civilëve.
Pretendimet e të dyja palëve nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Lufta e vazhdueshme në Gaza filloi me sulmin e udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor, në të cilin rreth 1 200 njerëz u vranë dhe më shumë se 250 pengje u morën në Gaza.
Që atëherë, më shumë se 51 300 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës, sipas autoritetit shëndetësor të drejtuar nga Hamasi./ /os/